Hi, e dini kur doni të largoheni? Zgjidhni udhëtimin tuaj

Ngarkesa: Kushtet e përgjithshme për transportimin

KUSHTET E PËRGJITHSHME PËR TRANSPORTIMIN E AUTOMJETEVE DHE/OSE KONTEJNERËVE– ED. 05/2019

 

KOMPANIA: nënkuptohet Shoqëria Lundruese në emër të së cilës është lëshuar ky dokument transporti, d.m.th. Grandi Navi Veloci S.p.A.

NGARKUESI: tregon atë që kërkon imbarkimin, shoferin ose atë që paraqet automjetin në imbarkim, dërguesin e kontejnerit, i cili duhet konsideruar edhe si i deleguar i marrësit në portin e mbërritjes.

AUTOMJETI: përfshin çdo mjet me goma ose zinxhirë, vetëlëvizës ose jo (maunë, rimorkio, gjysmë-rimorkio, auto-veturë, rulotë, autobusë, etj…).

KONTEJNER: përfshin çdo kontenitor, arkë, cisternë të transportueshme, paletë ose bazë prej druri apo çdo lloj tjetër mjeti ndihmës transportues që përdoret për përforcimin dhe transportimin e mallrave.

QIRA: përfshin të gjitha shumat që mund t’i paguhen Kompanisë sipas tarifave të zbatueshme dhe të kushteve të këtij dokumenti transporti.

 

Kompania angazhohet të transportojë automjetet dhe kontejnerët sipas Kushteve të mëposhtme të pranuara nga Ngarkuesi, që ka rënë dakord me transportin e parashikuar në këtë dokument dhe deklaron se i njeh mirë dhe i pranon ato, dhe po ashtu sipas kushteve të parashikuara nga ligji në fuqi, veç nëse ato janë në konflikt me normativën vijuese kontraktuale.

 

1.- Kjo kontratë transporti është e vlefshme vetëm për automjetet dhe/ose kontejnerët e treguar në kontratë dhe për anijen, nisjen ose nisjet e treguara në të. Ngarkuesi është i detyruar ta ruajë me kujdes këtë kontratë që të justifikojë të drejtën e vet për transport dhe për t’ia paraqitur cilitdo oficer të anijes ose funksionar të Kompanisë që e kërkon. Kontrata nuk është e transferueshme.

 

2.- Çmimi i shërbimit

Çmimi i treguar në këtë kontratë është çmimi i përllogaritur në bazë të tarifës në fuqi në datën e bërjes së kontratës. Kompania ka të drejtë t’i rrisë tarifat para nisjes. Në atë rast, para imbarkimit, Ngarkuesi duhet të paguajë diferencën ose ka të drejtë ta zgjidhë kontratën dhe të marrë rimbursimin e çmimit të transportit që nuk ka përfituar, me përjashtim të komisionit të agjencisë. Çmimi i treguar në këtë kontratë nuk përfshin sigurimin e ushqimit në anije, që në çdo rast mbetet në ngarkim të shoferëve/shoqëruesve të automjeteve të imbarkuar, veç nëse ka një marrëveshje tjetër specifike për këtë. Ngarkuesi duhet të paguajë edhe të gjitha shpenzimet, taksat dhe tarifat e imbarkimit e të zbarkimit, vulat etj.

 

3. - Kur nuk bëhet nisja

Ngarkuesi që nuk i paraqet në kohën e duhur për nisjen automjetet dhe/ose kontejnerët e vet, apo që nuk imbarkohen për shkak të Ngarkuesit, nuk ka të drejtë rimbursimi as për një pjesë të asaj që ka paguar. Madje, nëse nuk e ka paguar të tërë çmimin e transportit, ai duhet ta paguajë të tërë çmimin.

 

4. - Paraqitja në imbarkim, sistemimi në anije dhe zbarkimi

a) Konfirmimi i rezervimit dhe marrja përsipër e transportit nga ana e Kompanisë, edhe nëse kjo ka marrë të gjithë ose një pjesë të çmimit përkatës, nuk do të thotë medoemos që anija është gati të marrë automjetet dhe/ose kontejnerët, dhe as që automjetet dhe/ose kontejnerët do të imbarkohen vërtet. Imbarkimi real varet nga nevojat e Kompanisë, mundësitë e nxënies në bord etj., dhe nga çdo arsye tjetër e mundshme që mund të pengojë udhëtimin dhe/ose imbarkimin. Nëse imbarkimi nuk do të bëhet për shkak të Kompanisë, Kompania duhet të kthejë vetëm atë që ka arkëtuar ajo dhe nuk do të përgjigjet për shpenzime, qëndrime në depozita, dëme (të drejtpërdrejta dhe të tërthorta) dhe për asnjë arsye apo shkak tjetër.

Përveç kësaj, Kompania ka gjithë të drejtën të anulojë nisjen e njoftuar, të shtojë apo të heqë ndalesa, të bëjë që të nisë apo përfundojë një udhëtim në një port tjetër nga ai që ishte përcaktuar, ta caktojë anijen në një linjë tjetër, ta zëvendësojë anijen që parashikohej, ose të spostojë më para apo më mbrapa ditën e nisjes.

Në rastin kur nisja e fiksuar dhe e përmendur në këtë kontratë spostohet më para apo më mbrapa për një periudhë mbi dhjetë ditë, si në rastin kur nisja anulohet, Kompania do t’i rimbursojë Ngarkuesit shumën që ka paguar. Ngarkuesi nuk ka të drejtë të marrë kompensim për dëme dhe/ose rimbursim për shpenzime të çfarëdo lloji për asnjë nga rastet e parashikuara nga ky nen.

b) Mjetet duhet të paraqiten në portin e imbarkimit jo më pak se katër orë para orës së treguar për nisjen me të gjitha dokumentet (edhe ato doganore) tashmë të proceduara, si dhe me faturën e arkëtuar të çmimit të paguar për transportin.

Ngarkuesi duhet ta dorëzojë automjetin e vet në anije kur imbarkon dhe ta tërheqë po nga bordi kur zbarkon. Në imbarkim Kompania nuk mban asnjë përgjegjësi përpara dorëzimit në anije. Po ashtu, çdo përgjegjësi e Kompanisë përfundon me zbarkimin, kur marrësi merr në dorëzim automjetet nga anija.

c) Operacionet e imbarkimit të mjeteve dhe/ose të kontejnerëve, përfshirë sistemimi i tyre në vendin e caktuar në anije, operacionet e zbarkimit, transferimi i mundshëm i mjeteve dhe/ose i kontejnerëve nga vend-parkimi i portit të imbarkimit në anije, dhe/ose transferimi i mundshëm i mjeteve dhe/ose i kontejnerëve nga anija në vend-parkimin e portit të zbarkimit, kryhen gjithnjë me përgjegjësinë, shpenzimet dhe rreziqet në ngarkim të Ngarkuesit/ Marrësit, edhe nëse këto operacione i kryen personeli i anijes dhe/ose kompanitë e portit, dhe/ose traktori i Kompanisë, ngaqë ky personel, edhe drejtuesi i traktorit, konsiderohen punonjës të Ngarkuesit/ Marrësit për qëllimet e operacioneve të mësipërme.

Prandaj, Ngarkuesi dhe Marrësi janë detyrimisht përgjegjës të dëmeve të mundshme që i shkaktohen mjetit dhe/ose kontejnerit, mallrave që përmbajnë, anijes dhe/ose palëve të treta gjatë manovrave të transferimit nga anija e në anije, të imbarkimit, të sistemimit në anije, të zbrazjes së hambarit dhe të zbarkimit

d) Nëse në mbërritje mjetet dhe/ose kontejnerët nuk merren menjëherë, Kompania do të marrë përsipër (por gjithnjë me shpenzimet dhe përgjegjësinë e Ngarkuesit ose të Marrësit) që mjetin dhe/ose kontejnerin ta zbresë në tokë. Dorëzimi do të bëhet vetëm pasi të rimbursohen të gjitha shpenzimet dhe gjëra të tjera lidhur me transportin dhe operacionet përkatëse. Gjithsesi, kuptohet që Kompania nuk do të përgjigjet aspak për dëme dhe/ose mangësi të mjeteve dhe/ose kontejnerëve që pas zbarkimit gjenden në tokë në pritje të dorëzimit ngaqë Marrësi nuk erdhi menjëherë për t’i marrë ato.

 

4.1 – Në përputhje me normat në fuqi dhe për qëllime të sigurisë gjatë lundrimit, Transportuesi ka të drejtë të inspektojë brendësinë e mjeteve me rrota për transportim mallrash kur paraqiten për imbarkim, gjatë lundrimit dhe në fazën e zbarkimit.

 

5. - Stivimi dhe/ose fiksimi me rripa

Para imbarkimit, me përgjegjësinë, shpenzimet e veta dhe duke marrë përsipër rrezikun, Ngarkuesi duhet të sistemojë dhe të fiksojë me rripa ngarkesën brenda automjetit ose kontejnerit, si edhe të mbyllë, të mbulojë dhe të vulosë automjetin dhe/ose kontejnerin. Kompania nuk do të jetë përgjegjëse në asnjë rast për humbje dhe/ose dëmtim të ngarkesës dhe/ose të automjetit/kontejnerit ngaqë këto nuk u fiksuan me rripa, nuk u mbyllën dhe nuk u mbuluan, ose u bënë në mënyrë të papërshtatshme apo të pamjaftueshme, në bazë të mbingarkesës së automjetit/kontejnerit, duke mbetur marrëveshja që çdo rrezik lidhur me automjetet që udhëtojnë të mbingarkuara është në ngarkim të Ngarkuesit. Po kështu, Kompania nuk do të jetë aspak përgjegjëse për humbje dhe/ose dëme nga ndonjë shkak tjetër dhe/ose nëse ndonjë automjet apo kontejner tjetër i imbarkuar në të njëjtën anije i shkakton humbje dhe/ose dëme automjetit ose kontejnerit që tregohet në këtë dokument dhe/ose mallrave në to. Kuptohet që, në rast se ngarkesa rrëzohet për shkak ose faj të Ngarkuesit, shpenzimet e rikuperimit dhe të çdo gjëje tjetër të nevojshme do të jenë në ngarkim të marrësit, që ka të drejtën e rikthimit, edhe pse Kompania mund ta rikthejë paraprakisht për arsye sigurie.

 

6. - Transporti i mallrave të rrezikshme

Mallrat e rrezikshme u nënshtrohen normave të sigurisë që kanë vendosur Ministria e Infrastrukturës dhe e Transporteve dhe Kodi Ndërkombëtar për transportin detar të mallrave të rrezikshme (IMDG), i adoptuar nga Organizata Ndërkombëtare Detare (IMO) përkatësisht me Dekretin Drejtues Nr. 36/2004 dhe Vendimin A.581 (14) dhe ndryshimet e plotësimet pasuese. Mallrat e rrezikshme që lejohen për transport janë ato të renditura në Kodin IMDG dhe/ose në normativën kombëtare në fuqi. Ngarkuesi është i detyruar që para imbarkimit t’i deklarojë Kompanisë dhe/ose agjentëve të saj se në automjet/kontejner ka mallra të rrezikshme. Imbarkimi dhe transporti i automjeteve/kontejnerëve që kanë mallra të rrezikshme do të lejohet brenda kufijve të ligjeve në fuqi në këtë fushë dhe Kompania duhet të miratojë me shkrim çdo rast me vete. Kompania ka të drejtën të pranojë transportin duke marrë parasysh llojin e anijes që do të përdoret për shërbimin, sipas certifikimit të përputhjes për transportin e mallrave të rrezikshme, që i është lëshuar anijes. Në rast se Ngarkuesi nuk njofton për këtë, ai do të jetë përgjegjës pa kufizim për çdo pasojë që ka shkaktuar mosnjoftimi, si ndaj Kompanisë ashtu edhe ndaj palëve të treta, në çështje civile dhe penale.

 

7. - Përgjegjësitë e Kompanisë transportuese

a) Mbetet marrëveshja që për të gjitha aksidentet që ndodhin në anije, as Kompania dhe as anija nuk do të jenë përgjigjes nëse ato kanë ndodhur për shkak të forcave madhore ose, megjithatë, për shkaqe të mëposhtme: 1)  mbytje e anijes, përplasje ose ngecje edhe pse të shkaktuara për faj të manovrave të gabuara ose të Komandantit, të ekuipazhit, të pilotit ose të punonjësve të tjerë a të ngarkuar për administrimin e anijes ; 2) zjarr; 3) stuhi, rreziqe ose aksidente në det apo në ujëra të tjera të lundrueshme; 4) vepër e Zotit; 5) veprime lufte ose piratërie; 6) veprime të armiqve publikë (përfshirë sabotim dhe vandalizëm); 7) rrëmbim ose kufizime të princërve, qeveritarëve ose popullit, apo sekuestrim ligjor; 8) kufizime të karantinës; 9) greva, mbyllje, ndërprerje ose reduktime pune të çdo lloji e megjithatë të shkaktuara, të pjesshme dhe të përgjithshme; 10) kryengritje, revolta ose luftëra civile; 11) shpëtime ose përpjekje për të shpëtuar jetë njerëzish; 12) defekte të fshehura që nuk mund të zbulohen me kujdesin e duhur; 13) çfarëdo shkaku tjetër që nuk varet nga neglizhenca dhe/ose faji personal i Kompanisë transportuese e megjithatë, që nuk mund t’i atribuohet veprimit, mangësisë ose neglizhencës së agjentëve dhe/ose punonjësve e të ngarkuarve të Kompanisë lundruese.

b) Deklaratat e Ngarkuesit ose, sidoqoftë, njohja e cilësisë, e peshës, e vlerës dhe/ose e kushteve të automjetit/kontejnerit dhe/ose të ngarkesës apo të imbarkimit pa kufizime, nuk mund t’i ngarkohen ligjërisht Kompanisë dhe nuk ka pse ajo t’i njohë ose të mbajë përgjegjësi për to. Duke mbetur përjashtimet e përgjegjësisë të renditura më sipër të pandryshuara, automjetet (nënkuptohet si automjet koka dhe rimorkio bashkë), kontejnerët, malli dhe çdo objekt tjetër që përmbajnë, sipas kontratës dhe ligjit janë një njësi e vetme ngarkuese e pranuar pa deklaratë vlerësimi. Prandaj, përgjegjësia e Kompanisë si transportuese nuk mund të tejkalojë kufizimet e përshkruara në nenin 423 të Kodit të Lundrimit.

 

8. - Ngarkimi sipër dhe poshtë kuvertës

Kompania ka të drejtën e plotë të ngarkojë automjete (kamionë me rimorkio, kamion-maunë, vetëm koka, vetëm rimorkio, gjysmë-rimorkio, autovetura, rulotë, autobusë, makineri pune etj., vetëlëvizëse ose jo) dhe kontejnerë, sipër dhe poshtë kuvertës, si të dojë vet. Çdo rrezik për humbje dhe/ose dëmtim të automjeteve e kontejnerëve të transportuar sipër kuvertës, si edhe të mallrave që mbajnë ato, do të jenë në ngarkim të Ngarkuesit dhe/ose të pronarit të mjetit.

 

9 - Klauzola Frigorifer

Automjetet frigoriferë u nënshtrohen normave të sigurisë që përcaktojnë Ministria e Flotës Detare Tregtare dhe RINA, të cilat ndalojnë në bord përdorimin e burimeve të energjisë së anijes. Me kërkesë të Ngarkuesit të paraqitur në momentin e rezervimit dhe në përputhje me disponueshmërinë e prizave të korrentit, Anija mund të lejojë lidhjen me qarkun elektrik në bord (rrymë e alternuar në 380/440 volt, periudha 50/60) me kusht që automjeti të jetë i pajisur me çelësin e veçantë kundër shpërthimit të llojit Antidef, të miratuar nga organet kompetente. Lidhja lejohet, por rrezikun dhe përgjegjësinë, edhe ndaj palëve të treta, i mban Ngarkuesi. Përjashtohet çdo rast kur përgjegjësinë e kanë Transportuesi dhe anija sepse mungon dhe/ose ndërpritet korrenti, ka luhatje të tensionit dhe ka ndonjë defekt ose prishje të impiantit të prodhimit dhe të shpërndarjes së energjisë elektrike të Anijes, edhe pse nga punonjësit e saj. Nëse motori i automjetit frigorifer lëshon shkëndije kur është në punë, do të refuzohet dhe do të ndërpritet furnizimi me energji.

 

10. - Detyrimet e Ngarkuesit

a) Automjetet duhet të lihen në bord me bravat e derës të hapura dhe me çelësin e ndezjes të varur në timon. Gjatë udhëtimit, shoferët dhe/ose shoqëruesit e mundshëm ndalohen të futen në to.

b) Ngarkuesi dhe shoferët shoqërues të mundshëm të automjeteve duhet të respektojnë rregulloret dhe dispozitat e Autoriteteve Detare, të Portit, Shëndetësore, Doganore, të Sigurisë Publike, Policisë, etj., si ato italiane, ashtu edhe ato të huaja. Prandaj ata do të mbajnë përgjegjësi për çdo shkelje si ndaj Autoriteteve kompetente, ashtu edhe ndaj Kompanisë lundruese, të cilat kanë të drejtë t’u kërkojnë dëmshpërblim për çdo dëm, shpenzim, gjobë dhe penalitet të çdo lloji që mund të vijnë nga ato shkelje.

c) në raste emergjence shoferët/shqoëruesit duhet të vihen në dispozicion të Komandantit dhe duhet të ndjekin me rregull urdhrat dhe udhëzimet që do të marrin. Gjatë lundrimit shoferët/shoqëruesit ndalohen rreptësisht të hyjnë në ambientet e rezervuara për ngarkim dhe në ambientet e tjera të shërbimit.

 

11) Avari e përgjithshme

Avaria e përgjithshme do të rregullohet sipas rregullave të York-ut edhe të Anversës të 1950/1974. Para se të marrin në dorëzim mallrat, marrësit duhet të firmosin dokumentin “Lloyd’s Average Bond”. Gjithashtu, si depozitë e përkohshme, duhet të derdhin kuotën që Shoqëria lundruese përcakton si garanci të pagesës përfundimtare dhe si kusht për të tërhequr mallin. Depozitat që përcakton rregulli XXII i atyre të lartpërmendura, duhen derdhur në Gjenovë, në një llogari të veçantë në emër të përbashkët të dy përfaqësuesve të besuar, d.m.th. të Shoqërisë lundruese dhe të një përfaqësuesi që zgjedhin të interesuarit për ngarkesën, pranë një banke që Shoqëria lundruese dhe ky përfaqësues kanë zgjedhur me marrëveshje. Për këtë qëllim, në porte të ndryshëm për zbarkimin e mallrave, depozitat do t’i arkëtojnë agjentët e Shoqërisë lundruese, të cilët do të kujdesen që ato të dërgohen menjëherë në Gjenovë. Rregullorja e avarisë së përgjithshme do të bëhet me mirëkuptim në Gjenovë, pavarësisht nga destinacioni i gjërave të imbarkuara dhe do të hartohet nga një likuidues, të cilin ka të drejtë ta emërojë shoqëria lundruese. Depozituesit heqin dorë nga çdo kundërshtim dhe detyrohen të paguajnë kontributin që Rregullorja e Avarisë së Përgjithshme do të përcaktojë përfundimisht në bazë të vlerës së gjërave të ngarkuara

 

12. - Gjykata kompetente

Të gjitha mosmarrëveshjet që mund të lindin për interpretimin dhe ekzekutimin e kontratës së parashikuar në këtë dokument transporti duhet të çohen para Autoritetit gjyqësor të Gjenovës, duke mos iu nënshtruar kompetencës së asnjë Autoritetit tjetër gjyqësor edhe nëse ka shkaqe për bashkë-gjykim dhe do të gjejë detyrimisht zbatim në ligjin italian.